Inspektim për punimet që po kryhen në “Nënkalimin hekurudhor në unazën e Librazhdit”

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qëndro, deputeti i zonës së Librazhdit, Taulant Balla, kryetari i Bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra, drejtori i Hekurudhave Shqiptare, Ani Dyrmishi, inspektuan punimet që po kryhen në “Nënkalimin hekurudhor në unazën e Librazhdit” e konsideruar si problematike për qarkullimin e mjeteve. 

 

Ndërtimi i nënkalimit të ri konsiston në zgjerimin e nënkalimit ekzistues duke u ndërtuar me hapësirë dritë 10 m, për të siguruar një qarkullim në të dy drejtimet, si dhe për të siguruar sistemimin e trafikut dhe qarkullimin e të gjitha mjeteve tranzit pa kaluar nëpër rrugët e brendshme të ristruktruara të qytetit Librazhd duke ia ruajtur kushtet teknike për vazhdimësi pas përfundimeve të këtij investimi.

 

Ndër të tjera drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar theksoi: “Punimet në objekt kanë avancuar shume mirë krahasuar me grafikun e punimeve të kontratës dhe deri tani është realizuar rreth 65% e punimeve të objektit. Është punuar në çmontimin e linjës hekurudhore, gërmim dhe prishje të strukturave të betonit të Nënkalimit të Vjetër. 
Është betonuar bazamenti dhe muret anësore të nënkalimit dhe po punohet në betonimin e shpatullave të këtij nënkalimi. Sipas ecurisë së punës punimet e këtij objekti parashikohen të mbarojnë para afatit të përcaktuar në kontratë”.