Përfundon rehabilitimi i segmentit rrugor që lidh Vorën me ish-fabrikën e tullave

 

Autoriteti Rrugor Shqiptar përfundoi rehabilitimin e segmentit rrugor që lidh Vorën me ish-fabrikën e tullave, aks kyç në lëvizjen e mjeteve nga veriu drejt Doganës së Tiranës dhe më tej Portit të Durrësit. 
Pas ingaurimit që u bë sot në orën11:30, nga kreu i ARRSH-së dhe nga deputeti i Vorës ky aks është i hapur për kalimin e mjeteve rrugore.
Fillimi i punimeve: 6 Korrik 2018.
Afati i përfundimit të punimeve: 20 Shtator 2018 (përfundoi 10 ditë para afatit).
Në këtë segment janë realizuar punime të thella rehabilituese, të cilat përfshijnë:
– Punime të plota të nënshtresave rrugore me një thellësi deri 80-90 cm.
– Punime të plota të shtresave asfaltike.
– Punime të plota të sistemit të kullimit të ujërave të shirave (KUSH).
– Ndërtimi i tombinove.
– Punime të sigurisë rrugore (sinjalistika horizontale–vertikale në të gjithë gjatësinë).

Ndër të tjera drejtori i ARRSH-së Afrim Qëndro theksoi:

Jemi në Vorë dhe duam të bëjmë me dije që projekti prej 1.2 km për rehabilitimin e plotë dhe të thellë të këtij segmenti shumë të rëndësishëm që lidh gjithë transportin e mjeteve të rënda me Doganën e Tiranës ka përfunduar 10 ditë para afatit. Kemi të bëjmë me një rehabilitim të thellë në të gjithë paketën e shtresave asfaltike, në kanalet kulluese dhe sinjalistikën horizontale e vertikale. Është një model i mirë i rehabilitimit të thellë dhe projektit të suksesshëm që kemi së bashku me Bankën Botërore.

Ndërkaq, nga dita e enjte nis ndërhyrja në një tjetër segment të rëndësishëm, atë që lidh Vorën me Fushë Krujën.