Filloi pastrimi nga rrëshqitjet në autostradën Elbasan-Tiranë
Pas kryerjes së studimit të thelluar gjeologjik, hartimit dhe miratimit të projektit inxhinierik nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, filloi sot puna për eleminimin e rrëshqitjes së ndodhur dhe stabilizimin e shpatit në segmentin që lidh tunelin e Kërrabës me Elbasanin.
Afati i punimeve 4 muaj.
Në projekt është parshikur të bëhet një gjysëm tunel. Projekt që i jep zgjidhje kësaj rrëshqitjeje duke stabilizuar dhe siguruar gjithë këtë skarpatë, e cila ka qenë problem për një kohë shumë të gjatë.
Drejtori i ARRSH-së Afrim Qëndro ndër të tjera shtoi:
Sot fillojmë rehabilitimin e rrëshqitjes këtu në Mamel. Ka kaluar kohë derisa buxheti u bë efektiv dhe sa u kryen të gjitha procedurat nga përgatitja e projektit deri në lidhjen e kontratës. Kemi një kontratë të lidhur me kompaninë dhe ka filluar puna. Është një rrëshqitje e cila sjell goxha problematikë në trafik. Në bashkëpunim me Policinë Rrugore do të bëhet menaxhimi i trafikut, për një periudhë prej 4 muajsh, e mjaftueshme për të kryer gjithë këtë stabilizim të rrëshqitjes.
Një rëndësi të veçantë ka siguria e kalueshmërisë në këtë segment. Kemi marrë të gjitha masat me kompaninë që kalueshmëria të jetë e sigurtë. Siç e shikoni dhe ju po merren dhe masa shtesë. Do të ketë një bashkëpunim të ngushtë mes Autoritetit Rrugor, Policisë Rrugore dhe Drejtorisë së Policisë së Elbasanit. Është një projekt me gjysëm tunel siç e kemi deklaruar dhe më përpara. Një projekt që I jep zgjidhje kësaj rrëshqitjeje duke stabilizuar dhe siguruar gjithë këtë skarpatë e cila ka hapur problem për një kohë shumë të gjatë.