Një korsi e bypass-it të Fierit do të jetë e aksesueshme nga automjetet përpara nisjes së sezonit turistik. Punimet janë duke ecur me ritme të shpejta dhe synohet që njëri krah i kësaj nyje të rëndësishme për trafikun drejt jugut të vendit, të jetë gati në fund të muajit qershor. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato, ka inspektuar punimet në këtë vepër, ku është njohur nga afër me ecurinë e punimeve. Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, bëri të ditur se punimet janë duke vijuar sipas grafikut të miratuar nga ARRSH dhe se çdo ditë ky institucion monitoron ecurinë e tyre. “Aktualisht kompania po punon nën grafikun e miratuar nga ARRSH dhe jemi duke monitoruar çdo ditë punimet e kryera nga kontraktori”, u shpreh Qato. 240 punonjës, janë angazhuar nga kompania për përfundimin në kohë të punimeve ndërsa ato vijojnë edhe gjatë natës. Aktualisht po punohet për ndërtimin e tri urave, asaj të Hoxharës, Semanit dhe Pojanit, në dy prej të cilave pritet që brenda muajit prill të vendosen strukturat metalike. “Në 10 prill do të hedhim konstruksionin metalik të urës së Semanit dhe në datën 22 prill, sipas grafikut të miratuar edhe nga supervizori, do të hedhim urën e Hoxharës. Janë ura të prodhuara në Itali, të ardhura, aktualisht janë gjendje stoku në kantier, dhe po montohen trarët në tokë fillimisht”, u shpreh inxhinieri i kompanisë që po kryen punimet.
Ministrja Balluku ka vlerësuar ecurinë e deritanishme të punimeve dhe ka kërkuar nga kompania që të ruaj këtë rritëm të punës për të bërë të mundur realizimin në kohë të objektivit për sezonin veror. “Është e rëndësishme, që ne t’i qëndrojmë premtimit që kemi bërë. Deri në 30 qershor kjo rrugë të jetë e hapur për mjetet e tonazhit të lehtë, pra që janë autobusët dhe automjetet e vogla. Nuk do jetë e hapur për kamionët dhe në 30 qershor premtimi do të mbahet”, është shprehur ministrja Balluku. Ndërtimi i bypass-it të Fierit shkurton ndjeshëm distancën mes jugut të vendit dhe kryeqytetit. Hapja e një prej korsive do të bëjë të mundur shmangien e trafikut që krijohej gjatë sezonit turistik në segmentin që kalon përmes unazës së qytetit të Fierit.