ARRSH nis të hënën rehabilitimin e akseve Shkodër-Murriqan dhe Lezhë-Shëngjin
Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informojnë median dhe opinionin publik se duke nisur nga dita e Hënë (datë 10 Shtator 2018), në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performance të Bankës Botërore do të fillojnë punimet për rehabilitimin e dy segmenteve tjera rrugore, përkatësisht atë Shkodër-Murriqan dhe Lezhë-Shëngjin.
1. Ndërhyrja rehabilituese në aksin Shkodër (Ura e Bunës) – Murriqan
Ndërhyrja parashikon prishjen e shtresave ekzistuese asfaltike, zëvendësimin e nënshtresave në çakëll dhe stabilizant, realizimin e të gjithë shtresave të reja asfaltike në gjithë gjatësinë e rrugës dhe vendosja e sinjalistikës rrugore e masave të sigurisë rrugore.
ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë aks rrugor. Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.
2. Ndërhyrja për stabilizimin e skarpatës në Lezhë-Shëngjin (Knallë)
Ndërhyrja parashikon instalimin e barrierave mbrojtëse ndaj rënies së gurëve.
Gjatë ditës së Hënë do të bllokohet dhe devijohet trafiku në rrugen nacionale Lezhë-Shëngjin ne të dy sensent e lëvizjes në vendin e quajtur Knalle ku edhe do te kryhet ndërhyrja. ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor u kërkojnë drejtuesve të mjeteve sa vijon:
Lëvizja e te gjitha mjeteve në drejtim me destinacion Shëngjinin të devijohet majtas në Knallë në askin rrugor Kënallë – Kunë.
Gjithashtu drejtuesit e mjeteve ne drejtimin nga Shengjini në Lezhëz duhet të devijohen djathtas në askin rrugor Kënallë – Kunë.
Punonjësit e autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë me njësi të përqendruara në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut.