Drejtoresha e ARRSH-së Sonila Qato inspektoi punimet emergjente në segmentin e kthesës së Kasharit në Rinas, në Kryqëzimin ndërmjet Laknasit dhe Domjes, një segment problematik për publikun dhe mjetet që qarkullojnë, i cili ka shkaktuar ndër vite aksidente.
Për të evidentuar problematikat, që ka pasur për shkak të rrezikshmërisë që ky kryqëzim sjell, kanë filluar punimet emergjente për përmirësimin e sigurisë rrugore në degëzimin e Laknasit dhe Domjes dhe në kryqëzimin e Laknasit – Segmenti rrugor Kashar-Rinas.
Drejtoresha theksoi se është realizuar faza e parë e punimeve emergjente në këto katër javë duke garantuar një sinjalistikë vertikale dhe horizonate, që i jep siguri rrugore të gjitha mjeteve dhe është gati për t’u implementuar një projekt i qëndrueshëm, i cili rregullon gjeometrinë e rrugës përmes një rrethrrotullimi, që disiplinon të gjithë qarkullimin në këtë aks.