Intervistë me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, (ARRSH) Afrim Qëndro
Qeveria shqiptare ka në fokus të punës së saj investimet në infrastrukturën rrugore sipas standardeve më të mira europiane, me impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e ekonomisë së vendit .
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, (ARRSH) Afrim Qendro, në një intervistë për ATSH-në tha se, gjatë vitit 2018 investimet në infrastrukturën rrugore përfshijnë akset kryesore kombëtare, nga veriu deri në jug të vendit.
Investimet kanë nisur në aksin Kukës-Morinë. Projekti i rrugës Kukës-Morinë i nisur para disa vitesh do të përfundojë brenda këtij viti, tha Qendro, ndërsa një projekt i ri, po në këtë aks rrugor, parashikon investime në rehabilitimin e të gjitha difekteve që ka lënë, zbatimi i kontratave në gjithë këto vite, theksoi ai.
Ndërkohë mbështetja strategjike për projektet e infrastrukturës përfshinë edhe një sërë aksesh të tjera rrugore.
“Ne do të rregullojmë këtë vit, nyjen e Milotit, duke i dhënë zgjidhje të gjitha problemeve që ka komuniteti dhe biznesi rrotull kësaj nyje. Brenda vitit tjetër, parashikojmë të përfundojmë nyjen e Milotit që është një nyje shumë e rëndësishme që lidh korridorin veri- jug, qoftë nga pika e doganës së Morisës, por edhe të dy pikave të tjera që vijnë nga Murriqani dhe Hani Hotit”, deklaroi kreu i ARRSH-së.
Projekti i rrugës nga Balldereni deri në Milot, (veriu i Shqipërisë) është në procedurë e sipër, ndërsa kemi në procedurë të përfunduar ndërtimin e rrugës nga Thumana deri në Kashar.
Qëndro tha se, ne do të investojmë këtë vit në Bypass-in e Tepelenës për të cilin është hapur gara dhe parashikohet të fillojnë punimet në fund të vjeshtës si dhe po bëhemi gati të nisim aksin Kardhiq-Delvinë. (jugu i Shqipërisë).
Investime janë parashikuar edhe në vendosjen e sinjalistikës dhe ndërtimin e mbikalimeve.
Jo më pak të rëndësishme janë edhe investime që do të ndërmarrim në vendosjen e sinjalistikës dhe ndërtimin e mbikalimeve.
“Kemi disa projekte të tjera më të vogla për nga rëndësia dhe impakti ekonomik. Kemi tre lote sinjalistike të ndara sipas rajoneve të veriut, qendror dhe jugor dhe vendosjen e mbikalimeve të këmbësorëve nga Thumana deri në Milot dhe nga Kukësi deri në morinë”, theksoi Qëndro.
Sipas tij, strategjia e investimeve në infrastrukturën kombëtare fillon nga veriu e vijon deri në jug të vendit me impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësimin e jetës sociale të komunitetit . (Agjencia Telegrafike Shqiptare)