Nisur nga konstatimi për vendosjen në rrugën kombëtare Qafë Muzinë – Sarandë – Konispol, të sinjalistikës rrugore me emertime të qëndrave të banuara në gjuhën minoritare të zonës dhe shqipe, Autoriteti Rrugor Shqiptar gjatë mbrëmjes së mbrëmshme, në bashkëpunim me Policinë e shtetit ka realizuar heqjen e 35 tabelave, të cilat ishin vendosur jashtë standarteve të përcaktuara në Kodin Rrugor dhe pa miratimin e entit pronar të rrugës Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Sa me sipër, çdo palë e tretë jo ent pronar i rrugës, në kushtet kur vendos të ndërhyjë në rrugë apo vendosje sinjalistike treguese për zonat e banuara, duhet t’i referohet “Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë” dhe V.K.M Nr.446, datë 05.03.2008 “PËR PËRCAKTIMIN E SPECIFIKIMEVE TEKNIKE TË TABELAVE TË EMËRTIMEVE TË PARQEVE, SHESHEVE, BULEVARDEVE E RRUGËVE DHE TË NUMËRTIMEVE TË NDËRTESAVE”.
ARRSH konstatoi se 35 tabela të vendosura në këtë aks nacional, nuk plotësonin kushtet e përcaktuara në kodin rrugor të RSh për mbrojtjen e sigurisë rrugore të përdoruesve të rrugës, ku shumica prej tyre pengonte shikueshmërinë e tabelave rrugore paralajmeruese në këtë aks.
Gjithashtu u konstatua se këto tabela sinjalizuese nuk plotësonin specifikimet teknike të përcaktuara në legjislacionin në fuqi përsa i përket renditjes së emertimëve në gjuhën shqipe dhe atë minoritare, ngjyrës dhe madhësisë së shkrimit të përdorur.
Si rrjedhojë, duke e konsideruar vendosjen e këtyre tabelave në shkelje të procedurave ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, si dhe Policinë Gjyqësore, kanë ndërmarrë gjatë mbremjes se 4 majit masat për heqjen e këtyre tabelave duke eliminuar nga rruga 35 tabela sinjalizuese, të cilat ulnin sigurinë rrugore të mjeteve dhe përdoruesve të rrugës.