Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri bashkë me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro inspektuan punimet që po kryhen për rehabilitimin e dy segmenteve të Unazës së Fierit, të konsideruara si problematike për qarkullimin e mjeteve. Në segmentin nga Rreth-rrotullimi i Patosit deri në zonën pranë ish-QTU Fier, pas punimeve të nënshtresave dhe riparimit të sistemeve të kanalizimeve, është në fazën përfundimtare edhe ndërhyrja për shtrimin e asfaltit. Ministri Gjiknuri tha se ky segment do të jetë i hapur për qarkullimin e mjeteve brenda ditës së diel të kësaj jave.
“Para dy javësh ne ishim këtu për të shënuar fillimin e punimeve për ndërhyrjen në këtë aks shumë të rëndësishëm, por të lënë pas dore për shumë vite. Siç e shikoni, ky segment i Unazës tanimë po transformohet plotësisht, duke marrë pamjen e një rruge me standardet e duhura. Brenda 24 orësh do të përmbyllet puna për shtrimin e shtresave asfaltike dhe do të hapet qarkullimi për mjetet”, u shpreh Gjiknuri. Ndërkaq, po vazhdon puna rehabilituese në segmentin tjetër të Unazës së Fierit, nga rreth-rrotullimi i Sheqit deri tek rreth-rrotullimi i Patosit. Po punohet me intensitet, ndërsa parashikohet që brenda një jave edhe ky segment i dytë i Unazës së Fierit të ketë përfunduar dhe të jetë i hapur plotësisht për qarkullimin e mjeteve.
Ministri Gjiknuri theksoi se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka në zbatim tanimë një plan ndërhyrjeje për rehabilitimin e shumë akseve rrugore të konsideruara si problematike në gjithë vendin. Sipas tij, fillimisht është ndërhyrë në akset që janë konsideruar në gjendje më emergjente, ndërsa pjesa tjetër e ndërhyrjes do të kryhet gjatë muajit shtator. Ndërhyrja rehabilituese në Unazën e Fierit po kryhet në kuadër të projektit të përbashkët me Bankën Botërore për mirëmbajtjen me performancë të akseve rrugore.